Thirrja ( Da'ua ) Islame



Të gjitha falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve, i Cili na urdhëroi që të ndjekim të Dërguarin e Tij salaAllahu alejhi ue selem dhe të thërrasim në rrugën e Tij, dhe paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Profetin Muhammed, familjen e tij, dhe ata që e ndjekin atë me vërtetësi deri në ditën e gjykimit.

Të thirrurit për tek Allahu [ed‐Daua ilAllah] është rruga e të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem dhe e ndjekësve të tij, ashtu siç Allahu, më i Larti thotë:

ʺThuaj: Kjo është rruga ime, që thërras për te Allahu me qartësi (dituri), unë e kush më ndjek mua. I pastër është Allahu nga ajo që i përshkruajnë Atij dhe unë nuk jam nga idhujtarët.” [Suratuj‐Jusuf 12:108]

Me të vërtetë thirrja në rrugë të Allahut ishte detyra e të gjithë të dërguarve dhe pasuesve të tyre, që të nxjerrin njerëzit nga errësira në dritë, nga kufri [mosbesimi] në fenë e vërtetë dhe nga shirku në teuhid, dhe nga zjarri për ne xhennet. Kjo thirrje për te Allahu ka shtyllat e veta të forta, dhe është e vendosur mbi baza që janë të domosdoshme. Nëse ndonjë nga këto mungon, da’ua [thirrja] nuk do të jetë e saktë dhe nuk do të sjellë rezultatet e dëshiruara ‐ edhe nëse shpenzohet shumë energji e kohë ‐ dhe ky është realiteti që kemi parë me thirrësit e ditëve të sotme, që nuk e kanë ndërtuar thirrjen në këto shtylla dhe këto baza. Këto shtylla që e mbajnë da’uan janë të sqaruara qartë në Libër e Sunnet, dhe mund të përmblidhen si më poshtë:

1. Të dish se në çfarë je duke thirrur


Meqenëse injoranti nuk mund të jetë da’i [thirrës], Allahu, më i Larti i tha Profetit të Tij:

ʺThuaj: Kjo është rruga ime, që thërras për te Allahu me qartësi (dituri), unë e kush më ndjek mua. I pastër është Allahu nga ajo që i përshkruajne Atij dhe unë nuk jam nga idhujtarët.ʺ [Suratuj‐ Jusuf 12:108]

‘Basirah’ në këtë ajet është dituria. Kështu që thirrësi duhet ta dijë se ai do të bie ndesh me ata që janë dijetarë të lajthitjeve dhe humbjes, e ata do ta sulmojnë me dyshime e me argumente pa bazë, që në këtë mënyrë të shtrembërojnë të vërtetën.

Allahu, më i Larti thotë:

ʺDhe debato me ta në atë mënyrë që është më e mira.ʺ [Suratun‐Nahl 15:125]

E më tej, Profeti salAllahu alejhi ue selem i tha Muadhit radiALlahu anhu:

ʺTi po shkon te disa njerëz prej Pasuesve të Librit [Ehlil Kitab].ʺ 

Kështu nëse thirrësi nuk është i armatosur me dije të mjaftueshme që të përballojë çdo dyshim dhe ta mundë armikun, atëherë ai vetë do të mundet në takimin e parë, dhe do të ndalohet që në fillim të rrugës.


2. Të veprosh në bazë të asaj që thërret


Që të jetë një shembull i mirë, veprat e tij duhet t’i vërtetojnë fjalet e tij, që të mos lë asnjë fjalë për kundërshtarët e së vërtetës. Allahu, me i Larti tha për Profetin e tij, Shuajbin alejhi selam:

ʺUnë nuk dua që t’ju ndaloj nga diçka që e bëj vetë. Unë vetëm mundohem të përmirësoj aq sa kam mundësi.ʺ [Surah Hud 11:88]

Dhe Allahu, më i Larti tha për Profetin Muahmmed salAllahu alejhi ue selem:

ʺThuaj:ʺMe të vërtetë namazi im, kurbani im, jeta ime e vdekja ima janë për Allahun Zotin e botërave. Ai nuk ka shok e me këtë jam urdhëruar e unë nuk jam prej idhujtarëve.ʺ [Surah el En`am 6:162‐ 163]

E Allahu më i larti thotë:

ʺE kush është më i mirë në fjalë se ai që thërret tek Allahu e bën punë të mira e thotë që unë jam prej muslimanëve.ʺ [Surah el Fussilet 41:33]

3. Pastërtia e qëllimit [nijetit]


Duhet që kjo da’ua të bëhet vetëm për të kërkuar Fytyrën e Allahut dhe shpërblimin e Tij, e jo për t’u dukur, ose për reputacion, ose statut, ose për pushtet ‐ duke mos patur për qëllim fitime të kësaj bote ‐ se nëse ndonjë prej këtyre hyn, ajo e prish da’uan, dhe da’ua nuk do të jetë për Allahun, por do të jetë për veten e tij dhe për përfitimet e kësaj bote. Allahu na njofton se çfarë i
thanë Profetët popujve të tyre:

ʺNuk kërkoj prej jush shpërblim.ʺ [Fussilet 41:33]

ʺNuk ju kërkoj juve pasuri.ʺ [En’am 6:90]

4. Të fillosh me atë që është më e rëndësishme, e pastaj çfarë vjen pas saj e kështu me radhë


Kështu që në fillim thirret për tek akideja e drejtë, duke urdhëruar që adhurimi të bëhet vetëm për Allahun, dhe të ndalohet shirku [idhujtaria]. Pastaj të urdhërohet falja e namazit dhe dhënia e zekatit, dhe të kryhen obligimet fetare dhe të largohesh nga haramet. Kjo është rruga e ndjekur nga të gjithë Profetet, ashtu siç Allahu, më i Larti thotë:

ʺKemi dërguar të dërguar në çdo popull, që ata ta adhurojnë vetëm Allahun e të largohen nga taguti (çdo gjë që adhurohet përveç Allahut).ʺ [en Nahl 16:36]

Dhe Allahu, më i Larti thotë:

ʺNuk kemi dërguar të dërguar para teje veçse i shpallëm atij se askush nuk ka të drejtë të adhurohet përveç Allahut, kështu që bëje adhurimin vetëm për Të.ʺ [el Enbija 21:25]

E kur Profeti salaAllahu alejhi ue selem dërgoi Muadhin radiAllahu anhu në Jemen, ai salAllahu alejhi ue selem i tha:

”Me të vërtetë po shkon tek pasuesit e librit, kështu që le të jetë gjeja e parë që i thërret: të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut. Nëse e pranojnë këtë, atëherë lajmëroji se Allahu i ka bërë obligim pesë kohët e namazit gjatë ditës e natës…”


Shembulli më i mirë i dhënies së da’uas gjendet në metodologjinë e Profetit salAllahu alejhi ue selem ‐ është metodologjia më e mirë ‐ gjatë së cilës ai qëndroi 13 vjet në Mekke, duke thirrur njerëzit tek njësimi i Allahut [teuhidi] dhe ndalimin e shirkut para se t’i urdhëronte ata me namaz, zekat, agjërim e haxh, dhe përpara se t’i ndalonte nga ribaja [kamata], zinaja, vjedhja e vrasja.

5. Të kesh durim në vështirësitë që dalin kur bën da’ua, dhe nga të këqiat e njerëzve


E rruga e da’uas nuk është e shtruar me trëndafila, por ka vështirësi e rrezikshmëri. Shembulli më i mirë është me të Dërguarit, paqja e bekimi i Allahut qoftë me të gjithë ata, në lidhje me dëmtimin dhe talljen që pësuan prej popujve të tyre. Ashtu sikurse Allahu, më i Larti i tha të Dërguarit të Tij:

”Me të vërtetë të dërguarit para teje janë tallur, por ata që u tallën me ta u kapën me dënimin që e merrnin për shaka.” [En’am 6:10]

“Me të vërtetë janë mohuar të dërguarit para teje, por ata bënë durim nga këto mohime dhe vuajtën derisa erdhi ndihma Jonë.” [En’am 6:34]

E njëjta gjë është edhe me pasuesit e Profetëve, të cilët vuajnë nga vështirësitë dhe dhimbjet e ngjashme në bazë të da’uas tek Allahu, duke ndjekur shembullin e të Dërguarve.

6. Thirrësi duhet të jetë një njeri me sjellje të mira


Ai duhet të përdorë urtësinë në thirrjen e tij, sepse kjo do të jetë një arsye në pranimin e thirrjes se tij. Ashtu siç Allahu urdhëroi dy nga Profetët e tij të ndershëm, Musain dhe Harunin, dhe kjo ishte sjellja me të cilën ata po takoheshin me pabesimtarin më të keq të tokës, Faraonin, i cili deklaroi se është Zot. Allahu, i pastërti nga të metat, thotë:

”Dhe flitni atij me butësi se ndoshta ai e pranon përkujtimin ose frikësohet dhe i bindet Allahut.” [Ta Ha 20:44]

Dhe më i Larti i tha Musait alejhi selam:

”Shko tek Faraoni që i ka kaluar kufijtë me mendjemadhësinë e tij dhe kufrin e tij dhe thuaji: ”A nuk do ta pastrosh veten nga mëkati i kufrit dhe t’i bindesh Zotit tënd, kështu që t’i Bindesh Atij e t’i frikësohesh.” [Nazi’at 79:17‐ 19]

Allahu më i Larti tha, në lidhje me Profetin Muahmmed salaAllahu alejhi ue selem:

”Prej mëshirës së Allahut t’i u solle butë me ta dhe sikur të ishe i ashpër, ata do të braktisnin ty e do të largoheshin.” [Ali Imran 3:159]

Allahu, më i Larti thotë:

”Me të vërtetë (o Muahmmed) ti je në moralin më të lartë.” [el Kalem 68:4]

Allahu, më i Larti thotë:

”Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshilloji ata me mënyrë të mirë, dhe debato me ta në mënyrën që është më e mira.” [Nahl 19:125]

7. Thirrësi duhet të qëndrojë i fortë në rezultatet e tija dhe të shpresojë për mirë


Ai nuk duhet të dëshpërohet nga rezultati i dauas së tij, apo për udhëzimin e njerëzve. As nuk duhet të dëshpërohet rreth ndihmës prej Allahut, edhe nëse kalon një kohë e gjatë, sepse ai ka shembullin më të mirë tek të Dërguarit e Allahut. E Profeti Nuh alejhi selam qëndroi mes popullit të tij për 950 vjet, duke i thirrur tek Allahu.

Gjithashtu edhe të këqiat dhe dëmtimet nga pabesimtarët u ashpërsuan mbi Profetin salaAllahu alejhi ue selem dhe engjëlli i maleve erdhi tek ai dhe e pyeti nëse donte që t’i shtypte ata në mes të dy maleve, e ai iu përgjigj:

”Jo, uroj të kem durim me ta, ndoshta Allahu do të sjellë nga pasardhësit e tyre nga ata që e adhurojnë Allahun dhe nuk i shoqërojnë askë.” [Bukhari, versioni anglisht 4/300 nr. 454 dhe Muslimi, versioni anglisht 3/987 nr. 4425.]

Nëse thirrësi nuk e ka këtë cilësi të durimit, atëherë ai do të ndalojë tek fillimi i rrugës dhe do të ndihet i dekurajuar dhe i mërzitur.

E nëse thirrja nuk është ndërtuar mbi këto baza dhe nëse një menhexh nuk është prej menhexhit të profetëve, atëherë do të dështojë dhe do të jetë pa përfitim. Më e qarta është me xhematet e ditëve të sotme, që kanë nxjerrur për vete një menhexh dhe program për veten e tyre që është e ndryshme nga menhexhi i profetëve.

Këto grupe e kanë harruar rëndësinë e akides përveç një pakice të tyre, dhe thërrasin për rregullimin e gjërave dytësore. Kështu një grup thërret për rregullimin e pushtetit e politikës, dhe kërkon që të vendosen dënimet e sheriatit, dhe që ligji Islamik të gjykojë mes njerëzve. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, por nuk është më e rëndësishmja – sepse si mund të kërkohet të zbatohet ligji i Allahut për hajdutin e zinaqarin para se të zbatohet ligji i Allahut për mushrikun, për atë që i shoqëron Allahut në adhurim?

Si mund të kërkojmë ligjin e Allahut në mes dy njerëzve që po debatojnë për një dele a një deve, përpara se të kërkojmë ligjin e Allahut për ata që adhurojnë idhuj e varre, dhe për ata që mohojnë ose kanë mendime heretike për Emrat dhe Cilesitë e Allahut, duke ia ndryshuar kuptimin e tyre e duke i dhënë kuptime të tjera?

A nuk jane këta njerëz kriminelë më të mëdhenj sesa ata që bëjnë zina, pijnë alkool e vjedhin?

Këto krimet e fundit janë mes njerëzve, kurse shirku e mohimi i Emrave dhe Cilësive të Allahut janë krime ndaj Krijuesit, i pastër është Ai nga çdo e metë, dhe e drejta e Krijuesit ka përparësi para se të drejtës së krijesave. Sheikhul Islam Ibn Tejmijjah tha në librin e tij, el Istikamah 1/466:

”Kështu këto mëkate së bashku me teuhidin e drejtë janë më mirë sesa një teuhid i korruptuar pa mëkate.”

E prova për këtë eëhtë thënia e Allahut:

”Me të vërtetë Allahu nuk fal që të përshkruhet shok me të në adhurim, por Ai fal përveç kësaj kujt të dëshirojë.” [Nisaa 4:48]

E një xhemat tjetër që e përshkruan veten me da’uan, veçse edhe menhexhi i këtyre është i ndryshëm nga ai i Profetëve. Ata nuk i japin rëndësi akides së pastër, por i japin rëndësi ibadetit dhe disa dhikreve në mënyrnë e sufijve. Ata përqëndrohen tek dalja në khuruxh dhe në turizmin nëpër vende të ndryshme, dhe çfarë është e rëndësishme me u përmendur është se ata kanë tërhequr njerëz pas vetes së tyre, pa pyetur për besimet dhe akiden e tyre.

Të gjitha këto janë rrugë të reja ‐ me bidate, duke nisur në thirrjen e tyre me gjëra që janë lënë të fundit nga të dërguarit. Ky është si shembulli i atij që do të shërojë trupin e atij që i është prerë koka, meqë vendi i akides në fe është si vendi i kokës në trup. Kështu është e domsodoshme për këto grupe që të korigjojnë konceptet e tyre dhe ta kthejnë të kuptuarit tek Kurani e Sunneti në mënyrë që të njihen me menhexhin e Profetëve në thirrjen e Allahut, i Cili është i pastër nga çdo e metë, duke i njoftuar se pushteti i drejtë nuk mund të fitohet derisa të fitohet akideja e pastër, që ta adhurojnë Allahun dhe të largohen nga adhurimi i idhujve.

Allahu thotë:

”Allahu u ka premtuar atyre që besojnë mes jush, dhe qe veprojnë në
bindje ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, se Ai do t’u japë atyre pushtet në tokë ashtu siç u dha pushtet atyre përpara tyre, dhe se Ai do ta vendosë fenë për ta, dhe do t’u japë pushtet që ta praktikojnë fenë të cilën Ai e zgjodhi dhe urdhëroi. Dhe Ai do ta ndërrojë gjendjen e tyre në një gjendje sigurie, pas frikeë së tyre. Ata më adhurojnë Mua dhe nuk më shoqerojnë asgjë. Dhe kushdo që e kundërshton këtë mirësi duke mos iu bindur Zotit, ata janë rrebelë [fasikin].”
[Nur 24:55]

Kështu këta njerëz dëshirojnë që të kenë shetin Islamik para se të pastrojnë tokën nga besimet e kota, që kanë marrë formën e adhurimit të të vdekurve, devotshmerisë ndaj varreve, dhe nuk ka asnjë ndryshim mes adhurimit të el‐Lat dhe el‐Uzza dhe të tretin e tyre Menatin, por kjo ështç akoma edhe më keq.

Kështu ata (xhematet e devijuara) po mundohen të bëjnë atë që është e
pamundur. Me të vërtetë vedosja dhe praktimi i sheriatit dhe dënimi ligjore, vendosja e shtetit Islam, largimi nga të ndaluarat dhe kryerja e detyrimeve ‐ të gjitha këto janë prej së drejtës së teuhidit dhe që e përsosin atë dhe që jane prej tij. E si mund ta vendosim vëmendjen tek gjërat dytësore
duke lënë mënjanë ato parësore?

Është mendimi im se këto grupe që janë n ndryshim me menhexhin e të dërguarve në thirrjen tek Allahu, janë injorantë dhe nuk e dinë menhexhin e të dërguarve, dhe personi injorant nuk mund të jetë da’i [thirrës], sepse një nga kushtet themelore të da’uas është dija ashtu siç Allahu i është drejtuar Profetit t Tij:

”Thuaj: Kjo është rruga ime, thërras për te Allahu, me qartësi (dituri), unë e kush më ndjek mua. I pastër është Allahu nga ajo që i përshkruajnë Atij dhe unë nuk jam nga idhujtarët.” [Suratuj‐Jusuf 12:108]

Kështu prej kushteve të thirrësit është dituria. Dhe shohim se këto grupe që e përshkruajnë veten e tyre me da’uan janë në kundërshtim me njeri‐tjëtrin. Secili grup duke patur një program dhe menhexh tjetër nga grupi tjetër. Kjo është një rrugë që kundërshton rrugën e të Dërguarit salaAllahu alejhi ue selem, sepse rruga e tij është një rrugë e vetme, pa ndarje e pa dallime, ashtu siç Allahu thotë:

”Thuaj: Kjo është rruga ime, thërras për te Allahu, me qartësi (dituri), unë e kush më ndjek mua. I pastër është Allahu nga ajo që i përshkruajnë Atij dhe unë nuk jam nga idhujtarët.” [Suratuj‐Jusuf 12:108]

Kështu që ndjekësit e Profetit salAllahu alejh ue selem janë në një rrugë të vetme dhe nuk ndahen e as nuk përçahen. Por, janë ata që e kundeështojnë këtë rrugë që po ndahen e përçahen, ashtu siç Allahu thotë:

”E kjo është rruga Ime e drejtë, e ndiqe atë e mos ndiq rrugë të tjera e të ndahesh nga rruga e Tij…” [En’am 6:153]

Kështu këto grupe e xhemate janë një rrezik për Islamin duke u munduar me e errësuar ate, ose mund të ndalojnë njerëzit që të hyjnë në të, atëherë kjo është diçka që duhet sqaruar mirë dhe duhet të bëhet e qartë si diçka që nuk është prej Islamin aspak.

Allahu, më i Larti thotë:

”Ata që e ndajnë fenë e vërtetë dhe përçahen në grupe, ti o Muhammed nuk ke asgjë të bësh me ta.” [En’am 6:159]

E lusim Allahun që t'na drejtojë në rrugën e drejtë dhe paqja e bekimi i Allahut qofshin mbi Muhammedin, familjen dhe ndjekësit e tij si dhe sahabet e tij.

Shkruar nga: Saalih ibn Feuzan ‐ Mësues në Universitetin Islamik, “Imam Muhammed ibn Sa’ud.”

Botuar ne anglisht nga el‐Hidaayah Publishing and Distribution

P.O. Box 3332
Birmingham
United Kingdom
B10 9AW

Perktheu nga anglishtja: Ilir Delija

Çdo e mirë është prej Allahut, e çdo gabim është prej meje e shejtanit. Allahu e bëftë këtë tem të dobishme e na i falte mëkatet tona.