Sunday, 30 October 2016

Të drejtat e prindërve ndaj fëmijëve të tyre janë tepër të larta

 – Të drejtat e prindërve ndaj fëmijëve të tyre janë tepër të larta
            Falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve Muhamedin, familjen e tij të bekuar, shokët e tij besnik si dhe të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.
           O Zoti ynë Ty të takon falënderimi ashtu sikur është meritë për Madhërinë e pushtetit Tënd! Ty të takon falenderimi derisa të kënaqesh, Ty të takon falenderimi edhe kur je i kënaqur, dhe përsëri Ty të takon falenderimi edhe pasi kënaqesh.
I Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka treguar se kur fëmiju i del hakut prindërit të tij, Ebu Hurejra-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Fëmiju i del hakut prindërit të tij vetëm kur e gjen të robëruar e blen e pastaj e liron atë“.[1]
Ebu Burdeja-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tregon se Ibn Omerin-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e ka parë një njeri nga Jemeni duke bërë tavaf ndërsa nënën e tij e barte mbi shpinën e tij dhe thoshte:

Unë jam kafsha e nënshtruar e saj
edhe pse të tjerët habiten unë nuk habitem

Kur e pa Ibn Omerin-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, në tavaf e pyeti: O Ibn Omer a i kam dalë nga haku me këtë vepër nënës sime? – i tha Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij: Jo as sa një ngacmim në barkun e saj (që ja ke bërë duke qenë në barkun e saj para se të lindësh).[2]

8 – Respektimi i prindërve është ndër veprat më primarë që të afrojnë tek Allahu
Kjo bazuar në hadithin e Ibn Abasit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të cilit i ka ardhur një njeri dhe i ka thënë: E kam kërkuar një vajzë e cila refuzoi të martohet me mua ndërsa kur e kërkoi dikush tjetër pas meje ajo e dëshiroi atë dhe u martua me të, atëherë mua më kaploi xhelozia dhe e vrava, prandaj a ka pendim për mua? – E pyeti Ibn Abasi-Allahu qoftë i kënaqur prej tij: A e ke nënën gjallë? – Tha: Jo. – Ia ktheu Ibn Abasi-Allahu qoftë i kënaqur prej tij: Atëherë pendohu sinqerisht tek Allahu dhe mundohu ti afrohesh sa më shumë Atij. – Ata ibn Jesar thotë: Pasi që u ndam nga ai mexhlis shkova tek Ibn Abasi-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe i thashë: O Ibn Abas pse e pyete atë person se a e ka nënën të gjallë? – Më tha: Unë nuk di vepër që të afron më shumë tek Allahu i Lartësuar se sa respektimi i nënës.[3]

9 – Fjala e butë ndaj prindërve të shtyn në xhenet
Kjo bazuar në fjalën e Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, që i tha një njeriut që kishte bërë mëkat e ai i kishte treguar Ibn Omerit, atëherë Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha: Kjo nuk është prej mëkateve të mëdha. – Pastaj Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, tha për mëkateve e mëdha: “Ato janë nëntë: Shirku ndaj Allahut, vrasja e njeriut pa të drejtë, ikja nga beteja e luftës, shpifja për imoralitet për gratë e ndershme, ngrënia e kamatës, ngrënia e mallit të jetimit, bërja e të keqes në xhami, tallësi me të tjerët si dhe ai i cili i bën të qajnë prindërit e tij nga mosrespektimi ndaj tyre”. – Pas kësaj Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, iu drejtua këtij njeriu dhe i tha: A i ke gjallë prindërit? – i tha personi: E kam nënën gjallë. – i tha Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij: Për Allahun sikur ti flasish me të butë, ta ushqesh atë me ushqim do të hysh në xhenet për derisa largohesh nga mëkatet e mëdha.[4]

10 – Nga respektimi i prindërve është të fusish gëzim në zemrat e tyre
Kjo bazuar në hadithin e Abdullah ibn Amrit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: Një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, të besatohet për emigrim (hixhret) mirëpo ky person prindërit i kishte lënë duke qajtur, atëherë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Kthehu tek ta dhe bëri ata të qeshin ashtu siç i ke bërë të qajnë“.[5]

11 – Nga respektimi i prindërve është që mos të bëhesh shkak që dikush ti shan ata
Nga respektimi i prindërve pa dyshim se është që njeriu te ketë kujdes në sjelljen dhe fjalët e tij që mos të bëhet shkak që dikush t’ja fyen prindërit e tij, pasi që islami edhe për këtë çështje ka folur. Transmetohet nga Abdullah ibn Amri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili tregon se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Prej mëkateve të mëdha është ti shan njeriu prindërit e tij“. – Thanë sahabët: O i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, si ka mundësi që dikush ti shan prindërit e tij? – Tha i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Po dikush ia shan dikujt babain e pastaj edhe ai ia shan babain e tij ose dikush ia shan dikujt nënën e tij e pastaj edhe ai ia shan nënën e tij“.[6]
Në tekstin e Ebu Davudit qëndron: “Prej mëkateve më të mëdha është që njeriu ta mallkon prindin e tij” – Thanë sahabët: O i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, si mundet dikush ta mallkon prindin e tij? – Tha i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Kur dikush ia mallkon babain dikujt dhe ky tjetri ia mallkon babain të parit ose kur dikush ia mallkon nënën dikujt dhe ky tjetri ia mallkon nënën të parit“.
Ali ibn ebi Talib-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Allahu e ka mallkuar atë i cili ther kurban diçka jo për Allahun, Allahu e ka mallkuar atë i cili e strehon muhdithin[7] Allahu e ka mallkuar atë i cili i mallkon prindërit e tij si dhe Allahu e ka mallkuar atë i cili i ndron kufijtë (e tokës, pronave, shenjat e saj)”.[8]

12 – Respektimi i prindërve ka dallime në mes tyre
Respektimi i prindërve edhe kur është farz, dallon në përgjithësi, në të drejtat mes tyre, pra nëna ka më shumë vështirësi dhe mundime gjatë rritjes së fëmijëve, ajo fillimisht mundohet gjatë shtatëzënisë, në lindje, në gjidhënie, në edukimin e tyre, për këtë arsye ajo ka tre grada më lartë sa babai në respektim dhe veçohet në respektim nga babai.[9]
Transmetohet nga Ebu Hurejra-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se një njeri erdhi tek i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: O i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, kush nga njerëzit e meriton ta shoqëroj më mirë? – i tha i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Nëna yte“. – i tha: Po pastaj? – i tha: “Nëna yte“. – i tha: Po pastaj. – i tha: “Nëna yte” – i tha përsëri: Po pastaj – i tha: “Babai yt“.[10]
Në një transmetim tjetër të Muslimit qëndron: “Nëna yte, pastaj nëna yte, pastaj nëna yte pastaj babai yt, pastaj ata që vijnë nga më të afërmit, e më të afërmit nga ti“.[11]

13 – Prej respektimit të plotë të prindërve është mbajtja e lidhjeve me ato që i kanë dashur prindërit e tu
Abdullah Ibn Dinari-Allahu e mëshiroftë, përcjell se Abdullah ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e ka takuar një njeri nga nomadët arabë rrugës për në Meke. Pasi që e takoi i dha selam e hypi në gomarin në të cilin ishte duke udhëtuar, madje pas një kohë gjatë udhëtimit ia dha edhe çallmën të cilën e kishte mbi kokën e tij. – Pasi që u ndajtën Abdullah ibn Dinari thotë, i thashë: Allahu të përmirësoftë, këta janë nomadë arabë, këta kënaqen me ju dhënë edhe shumë më pak. – Mu kthye Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe më tha: Ky njeri ka qenë i dashur tek babai im Omer ibn Hatabi-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kurse unë e kam dëgjuat të Dërguarin e Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Prej bamirësisë më të madhë është mbajtja e lidhjes nga fëmiju me të dashurit e babait“.[12]
Autor: Seid Vehf el-Kahtani
Shkëputur nga libri “Respektimi i prindërve kuptimi, vlerat, etika dhe dispozitat”
Përktheu dhe përshtati: Nexhat Ceka

No comments:

Post a Comment