Saturday, 29 October 2016

Porosia e Nuhit alejhi selam me shpjegim nga sheikh Albani

Kur Nuhit, alejhis-selam, i erdhi vdekja i tha të birit të tij: Po të porosis me disa porosi: Të urdhëroj në dy gjëra dhe të ndaloj nga dy. Të urdhëroj në thënien La ilahe ilallah, se shtatë qiejt dhe shtatë tokat nëse vëndohen në një anë të peshores dhe nga ana tjetër vëndohet fjala La ilahe ilallah do të peshonte dhe do të anonte kjo fjalë. Sikur shtatë qiejt dhe shtatë tokat të ishin një hallkë e mbyllur fortë do ta thyente atë fjala La ilahe ilallah, kurse fjala Subhanallahi ve bi hamdihi (I madhëruar qoftë Allahu dhe Atij i takon falenderimi) është duaja e çdo krijese dhe me të furnizohen ata. Dhe të ndaloj nga shirku (Politeizmi) dhe kibri (mendjemadhësia) tha: Thashë ose është thënë: O i Dërguari i Allahut, për shirkun veç e kemi kuptuar dhe e dimë. Po na trego për kibrin? A mos është me pasur nalle të bukura? Tha: Jo. A mos është të keshë shokë që rinë me ta bashkë? Tha: Jo. Atëherë u pyet Pejgamberi, alejhis-selam: O i Dërguari i Allahut, e atëherë çka është kibri? Tha: Nënvlerësimi i të vërtetës dhe fyerja e njerëzve. Transmeton Buhariu në Edebul Mufred 548, Ahmedi 2/169-170, dhe 225, dhe Bejhakiu në El Esma 79. 
Poashtu nga Abdullah ibën Amri tregon se ishim te Pejgamberi, alejhis-selam, dhe aty erdhi një beduin (fshatarë) me xhube të gjatë, e qëndisur me mëndafsh dhe tha: Me të vërtetë ky shoku juaj don të mposhtë kalorësit dhe të ngritë barinjtë. Pastaj Pejgamberi, alejhis-selam, e kapi për xhuben e tij dhe tha: A nuk po të shoh të veshur me një petk të atyre që nuk kuptojnë. (përshkak të mëndafshit i cili është petk i veçantë për mosbesimtarët). Pastaj përmendi hadithin e lartëpërmendur. 
Thashë (Albani) senedi i këtij hadithi është i vërtetë. Transmeton Ahmedi dhe Taberaniu të ngjashëm si kjo, dhe me një transmetim tjetër thotë: Dhe të porosisë në tekbir dhe tespih se kjo është adhurim i krijesave. Transmeton Bezariu nga hadithi i Ibën Omerit, transmetuesit e Ahmedit janë të besueshëm. 

Përfitim nga hadithi 

Thashë: (Albani) Në të ka shumë përfitime, mjafton ti përkujtojmë disa prej tyre: 
1. Ligjësimi i vasijetit (porosisë) para vdekjes. 
2. Vlera e tehlilit (La ilahe ilallah) dhe e tesbihut (Subhanallah), dhe se ata janë shkak për furnizimin e krijesave. 
3. Dhe se peshorja në Ditën e Gjykimit është e vërtetë dhe se i ka dy anë, ky është besimi i ehli sunnetit për dallim prej mu’tezilive dhe pasuesit e tyre të kohës së sodit të cilët nuk besojnë në atë që është vërtetuar nga hadithet e vërteta duke pretenduar se janë hadithe ahad që nuk na japin të kemi bindje. E kamë sqaruar kotësinë e këtij pretendimi në librin tim “Me profesor Tantavin”. 
4. Dhe se tokat janë shtatë, sikurse qiejt dhe për këtë ka hadithe të shumta në dy Sahihet dhe në të tjerët, dhe për këtë dëshmon fjala e Allahut, subhanehu ve teala, ku thotë: “Allahu është Ai që krijoi shtatë palë qiej dhe prej tokës aq sa ata.” (Talak, 12.) Që don të thotë në krijim dhe numër dhe mos shiqo se si komentojnë dhe si i ndryshojnë në mohim të numrave qofshin të qiejve apo të tokës sikurse kanë arritur disa shkencëtarë të zhvilluar evropian të mohojnë këtë gjë dhe ata nuk njohin shtatë palë toka gjithashtu nuk dinë as për qiejt. A të mohojmë fjalën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij për injorancën e evropianëve dhe të tjerëve me çdo respekt për ta. Çdo herë që shtojnë dijen e tyre mbi gjithësinë aq më tepër iu shtohet bindja për injorancën e tyre. Të vërtetën e thotë Zoti: “E juve u është dhënë fortë pak dije…” (Isra, 85). 
5. Zbukurimi me roba të bukura nuk është prej kibrit por kjo gjë është e ligjësuar, sepse Allahu është i bukur dhe e don bukurinë. Sikurse ka thënë i Dërguari i Allahut, alejhis-selam, në hadithin që transmeton Muslimi në Sahihun e tij për këtë qështje. 
6. Kibri që është përmendur baraz me shirkun, ku nuk hyn në xhennet ai i cili ka një grimcë nga ajo, është kibri ndaj të vërtetës, refuzimi pas qartësimit dhe shpifja e njerëzve të pafajshëm pa të drejtë. 
- Le të ketë kujdes çdo muslimanë që mos të cilësohet me diçka prej këtij vesi sikurse të kujdeset që mos të cilësohet me diçka i cili të futë përgjithmonë në zjarr. 
Muhammed Nasirud-din Albani

No comments:

Post a Comment