Raste të mahnitshme që flasin për leximin e librave voluminozë në disa tubime
POSTED ON AUGUST 26, 2017 BY UDHA E BESIMTARËVE
Leximi i librave voluminozë në disa tubime
Dijetarët e kanë pasur zakon të uleshin në tubime të posaçme për të lexuar librat voluminozë në shkenca të ndryshme islame, sidomos librat e haditheve me zinxhir transmetuesish. Kësisoj njerëzit i merrnin këto libra me zinxhirin e tyre të transmetimit deri tek autori i librit. Ndonjëherë duke e dëgjuar të gjithë librin, e herë të tjera një pjesë të tij. Dhe kjo shoqërohej me leje për transmetim të të gjithë librit (ixhazeh), apo të një pjese të tij. Por me kalimin e kohës këto tubime ku lexoheshin apo dëgjoheshin librat voluminozë u rralluan dhe u kufizuan në disa fusha të veçanta si librat e hadithit, sidomos ato të autorëve më të njohur prej tyre.
Këto tubime mund të zgjasnin apo të shkurtoheshin, në varësi të qëllimit prej leximit, kohës së lirë të shejkhut, përgatitjes së studentit apo temës së librit.
S’ka dyshim se leximi i këtyre librave voluminozë kërkon disa cilësi të shejkhut dhe të studentit siç janë: eksperienca me librin që po lexohet, vëmendje të madhe, gjuhë letrare të kulluar, lexim të shpejtë, dhe përpara të gjitha këtyre e pas tyre: dëshirë e madhe, ambicie e lartë dhe durim i bukur. Ai që është zbukuruar me të gjitha këto cilësi hekuri i zbutet dhe e rënda i bëhet e lehtë, “sepse vullneti dhe dëshira e zjarrtë i largojnë vështirësitë dhe e lehtësojnë rrugëtimin”
Tani po sjell disa prej tregimeve që kam hasur në këtë temë:
El Khatib el Bagdadij (v. 463)
E ka lexuar “Sahihul Bukhari”-n në tri tubime!
Thotë El Khatib në “Tarikhu Bagdad” tek jetëshkrimi i Ismail ibn Ahmed ibn Abdullah ed Darijr (i verbri) el Hijrij (v. 430) se i kërkoi atij të lexonin “Të Saktin” – të cilin Ismaili e kishte dëgjuar më parë prej Kushmihenij-it i cili e kishte dëgjuar prej Firabrij-t. “Dhe ai iu përgjigj kërkesës time. Kështu e ia lexova atë të gjithë në tri tubime, dy prej tyre në dy netë. E filloja leximin pas namazit të akshamit (perëndimit) dhe e përfundoja në namazin e sabahut (agimit) (Sh.p. :Gjithë natën lexim)! Dhe përpara se të ulesha me të në tubimin e tretë shejkhu (sh.p.: Ismail ed Darijr) kaloi në anën perëndimore me një karvan dhe zbriti në gadishull në vendin e quajtur “Suuku Jahja”. Kështu shkova tek ai së bashku me një grup shokësh – të cilët kishin marrë pjesë në dy tubimet e mia në netët e mëparshme – dhe lexova para tij që nga fillimi i ditës deri në perëndim të diellit, pastaj nga perëndimi i diellit deri në agim dhe e mbarova librin! (sh.p.: gati 24 orë lexim!) Në mëngjesin e asaj dite shejkhu u nis përsëri me karvanin e tij”.
Zoti im çfarë ambiciesh të larta, çfarë vullneti e vendosmërie!!! A ke dëgjuar ndonjëherë për ambicie të tilla, vendosmëri si këto?! Dita e tretë ishte e gjitha lexim (nga paraditja deri në perëndim të diellit, e nga perëndimi i diellit deri në agim). Me të tilla ambicie Khatibi arriti atë gradë të lartë që arriti. Aq sa u quajt “Hafidhul meshrik” (Dijetari i madh i perëndimit, që dinte shumë përmendësh). Me këtë ambicie u bë pikë referimi për hadithologët, tek ai ktheheshin të gjithë, madje nuk bënin dot pa librat e tij, siç thotë Ibn Nuktah.
Po çfarë kanë thënë të tjerët për këtë histori?
Thotë Hafidh edh Dhehebij në “Sijer” duke e komentuar: “Ky – pasha Allahun – është një lexim që s’është dëgjuar ndonjëherë më i shpejt se ai”
Ka thënë gjithashtu në “Tarikhul Islam” (Historia e Islamit) : “Nuk di të ketë mundësi ta bëjë një gjë të tillë ndokush në kohën tonë!”
Ndërsa në “EL xheuahir ued durar fi terxhemeti shejkhil islam Ibn Haxher” (Xhevahiret dhe perlat prej jetëshkrimit të shejkhul Islam Ibn Haxherit) të Sekhauit, ka ardhur se ai e ka pyetur shejkhun e tij – dmth Ibn Haxherin (Allahu e mëshiroftë) : “A ju ka ndodhur ndonjëherë të lexoni gjithë ditën?” (dmth: ashtu siç i ndodhi Khatibit?). Dhe ai u përgjigj: Jo, por po ta ndaja leximin e “Të Saktit” në 10 tubime të njëpasnjëshme, ato do të ishin kryer në më pak se aq ditë (sa e ka lexuar Khatibi). Por ku është kokrriza e rërës në krahasim me yllin që është në qiell! Khatibi – Allahu e mëshiroftë – kishte një lexim të saktë në kulm, shumë cilësor, shumë të dobishëm dhe shumë të qartë për dëgjuesit!”
Dhe do të vijë në mënyrë të zgjeruar ajo që i ka ndodhur Ibn Haxherit në këtë çështje. Ajo është një histori vërtet e habitshme.
Leximi i “Sahihul Bukhari”-t në 5 ditë
Imam Dhehebiu në “Tedhkiratul huffadh” citon fjalët e Ebu Seid es Sem’anit i cili thotë: “Khatibi ishte i habitshëm për bukurinë e shkrimit, shumë i saktë, fliste gjuhë të kulluar letrare, më i dalluari prej hafizëve. Ia lexoi “Sahihu”-n Kerime-s në Mekkeh për 5 ditë.”
Abdullah ibn Seid ibn Lubbaxh el Emeuij (436)
Leximi i “Sahihul Muslim” për një javë
Ibn Lubbaxhi jetoi një kohë të gjatë në Mekke dhe u shoqërua shumë kohë me Ebu Dherr Abd ibn Ahmed el Herauij – transmetuesi i “Sahihu”-t – dhe transmetoi shumë prej tij. Pastaj u kthye në Andaluzi (Spanjën e sotme). Thotë Ibn Beshkuali në “Es sileh” : “Erdhi në Kurtubeh (Kordoba) në vitin 433 dhe studentët lexuan para tij “Musned Muslim ibnul Haxh-xhaxh es Sahih” në një javë, në xhaminë e Kordobës. Çdo ditë uleshin në dy takime të gjata, një herë paradite dhe një herë mbasdite.”
El Mu’temen es Saxhij (v. 507)
Leximi i “El muhaddith el fasil” në një mexhlis të vetëm
Dhehebiu thotë në “Sijer” : “Ka thënë Es Silefij: El Mu’temeni nuk ishte i bezdisshëm kur na lexonte. Një herë na lexoi përpara Ibnut Tujur-it librin “El Fasil” të Ramehurmuzij në një tubim të vetëm”
Talhah ibn Mudhaffer el Althij el Hanbelij (v. 593)
E ka lexuar “Sahihul Muslim” për tre ditë
Ka ardhur në jetëshkrimin e tij në “Edh dhejlu ala tabekatil hanabileh” dhe tek “Tabekatul mufessirin” se ai e lexoi “Sahihul Muslim” në tri tubime. Talhah ibn Mudhaffer ishte dijetar në shumë shkenca islame, asket, i devotshëm. Hafidh el Mundhirij e ka përshkruar atë si lexues të mirë, me gjuhë letrare të pastër. Një herë kur lexoi librin “El xhemherah” të Ibn Durejdit përpara Ibn Kassar-it e lexoi aq shpejt sa Ibn Kassari tha: A e di përmendësh Talhah këtë libër?! – i thanë: Jo.
El Izz ibn Abdusselam (v. 660)
E ka lexuar “Nihajetul matleb” për tri ditë
Ibn Fehdi thotë në “Lahdhul elhadh” : “Ka thënë shejkhu ynë el Hafidh Burhanud-din (el Halebij v. 841) : ‘Më kanë treguar se shejkhu Izz ibn Abdusselam shkonte në xhami ditën e mërkurë dhe me vete kishte librin “Nihajetu imamil haramejn” dhe qëndronte në xhami ditën e mërkurë, ditën e enjte dhe ditën e xhuma deri përpara namazit. Gjatë kësaj kohe lexonte “Nihaje”-n.’ ”
Disa prej dijetarëve kjo gju iu duk e pamundur, prandaj shejkh Siraxhud-din el Bulkinij tha: “Mua s’më duket e pamundur, sepse shjekh Izz ibn Abdusselami nuk kishte asgjë të vështirë prej tij (prej librit të përmendur), dhe nuk kishte nevojë të mendohej për të veçse pak (aq të freskët e kishte në mendje atë libër)!’, apo tha fjalë me këto kuptim…”
Ibnul Ebbar (v. 658)
Ka lexuar “Muslim”-in për gjashtë ditë.
Dhehebiu përmend në “Sijeru a’lamin nubela” tek jetëshkrimi i muhaddithit që jetoi gjatë, Ebu Muhammed Abdullah ibn Muhammed el Haxherij el Endelusij (v. 591) se el Hafidh Ebu Abdullah ibnul Ebbar-i (v. 658) e lexoi para tij “Sahuhul muslim” për 6 ditë.
Shejkhul Islam Ibn Tejmijeh (v. 728)
Lexoi “El Gajlanijat” në një mexhlis
Thotë nxënësi i tij El Hafidh ibn Abdul-Hadij (v. 744) në “Mukhtesar tabekati ulemail hadith” – duke numëruar librat që ka dëgjuar dhe lexuar shejkhu i tij (Ibn Tejmija) – : “Dhe vet ka lexuar shumë dhe ka dëgjuar për disa vite (libra që lexoheshin në tubime ku ai ishte i pranishëm), dhe “Gajlanijat”-et i ka lexuar në një tubim të vetëm”
Ibn Abdul-Hadij e përshkruan Shejkhul Islam Ibn Tejmijen me disa cilësi që tregojnë dashurinë e këtij imami për diturinë dhe dhënien mbas saj duke thënë: “Gati sa nuk ngopej shpirti i tij prej diturisë. Nuk gjente ngopje prej leximit dhe as nuk velej e as bezdisej prej punës studimore.”
Dhe parapriu diçka prej lajmeve të tij. Allahu i mëshiroftë të gjithë me një mëshirë të gjerë dhe i bëftë banorë të Xhenneteve të Tij të gjera!
El Hafidh el Mizzij (v. 742)
Hafidh Ebul Haxh-xhaxh el Mizzij e ka lexuar “El Mu’xhemul kebir” të Taberanit në prani të Hafidh el Berzalit në 60 tubime.
El Hafidh Shemsud-din edh Dhehebij (v. 748)
E ka lexuar “Siretu Ibni Hisham” për 6 ditë.
Imam Dhehebiu tregon për veten e tij se e ka lexuar “Siretu Ibni Hisham” përpara Ebul Mealij el Eberkuhij vetëm për 6 ditë.
Siraxhuddin ibnul Mulekkin (v. 804)
Ka lexuar dy vëllime prej “El Ahkam” brenda ditës.
Burhanud din el Halebij thotë në “Lahdudh elhadh” – pas jetëshkrimit të el Izz ibn Abdusselam që u përmend më parë: “Ia përmenda këtë histori shejkhut tonë Siraxhuddin ibnul Mulekkin dhe ai më tha: ‘Unë kam lexuar dy vëllime prej librit “El Ahkam” të Muhibb et Taberij për një ditë’.”
“Nxitësi për lexim”
Përktheu: Emin Bilali