Komisioni i dijetarëve të mëdhenj prononcohet për rregullat në lidhje me pandeminë e shkaktuar nga Korona virusi
Komisioni i dijetarëve të mëdhenj prononcohet për disa rregulla në lidhje me pandeminë e shkaktuar nga Korona virusi Covid-19.
Vendim nr (246) në datë 16/07/1441 që përkon me datën 11/03/2020
Komisioni i dijetarëve të mëdhenj shpalli vendimin në lidhje me epideminë që është përhapur ditët e fundit nëpër botë:
Falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve. Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, familjen dhe gjithë shokët e tij!
Pas shqyrtimit të shumë pyetjeve që kanë mbërritur ditët e fundit, në lidhje me masat lehtësuese për mosprezantimin në namazin e xhumasë dhe të xhematit, në rastin e përhapjes së epidemive apo kur ekziston frika nga përhapja e tyre, u studiuan në mënyrë të gjithanshme argumentet fetare dhe ligjore, bashkë me rregullat, qëllimet dhe largpamësinë e tyre, si edhe fjalët e dijetarëve lidhur me këtë çështje.
Bazuar në çka përmendëm, komisioni i dijetarëve të mëdhenj shpjegon si më poshtë:
- Është haram (e ndaluar kategorikisht) për atë që është i infektuar, që të prezantojë namazin e xhumasë apo namazet ditore me xhemat. Sipas fjalës së Profetit (Sal-Allahu alejhi ue sel-lem): ”Të mos përzihet i sëmuri me të shëndetshëm” (Buhariu dhe Muslimi). Bazuar gjithashtu në fjalën e tij: ”Nëse dëgjoni se murtaja ka rënë në ndonjë vend, mos shkoni në atë vend. E nëse ju jeni aty, atëherë mos dilni prej tij” (Mutefekun alejhi)
- Nëse institucionet kompetente kanë vendosur për dikë që duhet të izolohet prej të tjerëve (të karantinohet), atëherë është obligim për të zbatimi i këtij vendimi. I tilli duhet që të lërë prezantimin në xhuma dhe xhemate dhe të falet në shtëpinë e tij apo në vendin ku është izoluar. Transmetohet se Shurejd bin Suvejd Eth-Thekafij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: ”Në delegacionin e Thekifit (që po vinte në Medine për të besatuar Profetin per hyrjen në islam) ishte një burrë lebroz. Atij i dërgoi Profeti (Sal-Allahu alejhi ue sel-lem) fjalë që ti thuhej; Ty ta kemi pranuar besën tënde, prandaj kthehu!” (Muslimi)
- Kushdo që dyshon se mund të dëmtohet për vete apo të dëmtojë të tjerët, i lehtësohet dispozita dhe i lejohet që të mos prezantojë në xhuma apo në namazet me xhemat. Mbështetur kjo në hadithin: ”Nuk lejohet dëmtimi i vetes dhe as dëmtimi i të tjerëve” (Ibnu Maxheh)
Në të gjitha rastet e përmendura, nëse nuk prezanton në xhuma, duhet të falë në vend të saj drekën katër rekate.
Komisioni i dijetarëve të mëdhenj i porosit të gjithë për korrektësi, përmbajtje dhe zbatim me përpikmëri të orientimeve, porosive dhe rregullave që burojnë nga institucionet kompetente.
Ashtu siç i porosit të gjithë për devotshmëri ndaj Allahut të Madhëruar. Për kthimin me përgjërim dhe lutje tek Ai i Lartësuari, në mënyrë që ta largojë prej nesh këtë sprovë.
Allahu i Madhëruar thotë: ”Nëse All-llahu të godet me ndonjë të keqe, s’ka kush që ta largojë atë veç Tij, e nëse të dhuron ndonjë të mirë, duhet ditur se Ai është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë” EnAmë – 17.
Gjithashtu i Madhëruari thotë: ”Zoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua që t’iu përgjigjem!”
Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, familjen dhe gjithë shokët e tij!
Përktheu: Mirandi Shehaj
No comments:
Post a Comment