Sunday, 22 March 2020

Çfarë na mësoi halli i “Koronës”?


Çfarë na mësoi halli i “Koronës”?
1. Belaja e Koronës na tregoi se mund t’u zbavitkemi dhe kalojmë kohë të këndshme me familjen.
2. Belaja e Koronës na tregoi se po ta administrojmë mirë paranë dhe të ardhurat,duke u fokusuar tek ekonomia shtëpiake, larg shpenzimeve lart e poshtë, mund të na dalin dhe tia shohim hajrin dhe aq sa kemi.
3.Belaja e Koronës na tregoi se këshillimi i njerëzve, dhënia e udhëzimeve, përpjekja këmbëngulëse për t’i shpëtuar nga e keqja, qenka mision fisnik, urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, e jo shkelje apo marrje e lirive dhe të drejtave.
4. Belaja e Koronës na tregoi se nëse vërtetë prindërit janë ambociozë dhe të përkushtuar ndaj familjes, ndajnë kohë për të edukuar dhe mësuar fëmijët e tyre.
5. Belaja e Koronës na vërtetoi madhështinë dhe bukurinë e fesë tonë që e ka pastërtinë pjesë të esencës së saj, me shekuj para se të ekzistonin Organizatat e shëndetësisë
6. Belaja e Koronës vërtetoi që Zoti dërgon herë pas here qortime të formave të ndryshme për të na shkundur nga shkujdesja dhe përhumbja pas dunjasë dhe shthurjes.
7. Belaja e Koronës vërtetoi që një “ushtar armik” i padukshëm, i vockël, mund të rrëzoka shtete të mëdha, të kapardisura me mburrje, pa e nisur fare “betejën” me vendet e varfëra.
8.Belaja e Koronës na pohoi që arma më e mirë mbrojtëse qenka mbështetja tek Allahu dhe lutja ndaj Tij, me bindje, përkushtim dhe përgjërim.
9. Belaja e Koronës na tregoi që muslimanët janë akoma në hajr, përderisa u qan zemra për namazin me xhemat.
10. Belaja e Koronës na tregoi që mund t’u mbyllkan dyqanet dhe qendrat tregtare për orë të tëra gjatë ditës e jo vetëm sa për namaz!
11. Belaja e Koronës vërtetoi që mbulesa, qoftë dhe e fytyrës, kur vjen si një zgjedhje,nuk e pengoka njeriun nga aktivitetet e përditshme dhe as nuk u dashka qortuar.
12. Belaja e Koronës pohoi se gjithmonë do ketë një kategori të babëziturish që do përpiqen të përfitojnë nga krizat dhe hallet kolektive
Belaja e Koronës ka shumë për të na thënë dhe treguar, mjafton që të “lexojmë” dhe kuptojmë.
Zoti ju ruajtë dhe ju dhëntë shëndet e iman
Shuajb Rexha

Dhjetë porosi për tu mbrojtur nga epidemia

.

Dhjetë porosi për tu mbrojtur nga epidemia.
Nga Shejh Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Beder
Falënderimet i takojnë vetëm Allahut. I cili i përgjigjet nevojtarit kur ai (nevojtari) i lutet Atij. E ndihmon atë që i është bërë padrejtësi kur ai e thërret Atë. Ai (Allahu) është i cili e largon të keqen dhe brengat. Zemrat nuk kanë gjallëri vetëm se me përmendjen e Tij. Nuk ndodh asgjë vetëm se me lejen e Tij. Nuk shpëton nga e keqja vetëm se me mëshirën e Tij. Askush nuk është i ruajtur vetëm se me mbrojtjen e Tij. Nuk arrihet qëllimi vetëm se me lehtësimin e Tij. E lumturia nuk arrihet vetëm se me bindjen ndaj Tij.
Dëshmoj se nuk e meriton adhurim me të drejtë askush tjetër veç Allahut, të vetëm. Ai nuk ka ortak. Zot i botrave dhe i adhuruar nga të parët dhe të fundit. Ai është i cili mban qiejt dhe tokat.
Si dhe dëshmoj se Muhamedi (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) është rob dhe i dërguari i Tij. I dërguar me Librin e qartë dhe me rrugën e drejtë.
Këto janë disa porosi të dobishme me rastin e frikës që i ka kapluar njerëzit këto ditë nga kjo epidemi e quajtur: ‘Korona’.
E lus Allahun që ta largojë prej nesh dhe prej muslimanëve kudo që ndodhen çdo dëm e fatkeqësi. Si dhe të largojë çdo vështirësi. Të na ruaj të gjithëve ashtu siç Ai i ruan robërit e Tij të mirë. Vërtetë Ai është i plotfuqishëm për këtë.
1- Çfarë thuhet përpara se të vijë epidemia.
Nga Uthman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se ka thënë: kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) duke thënë: ‘Ai i cili thotë: Me emrin e Allahut të cilit nuk të dëmton asgjë me emrin e Tij në tokë apo në qiell. Me të vërtetë Ai është Dëgjues dhe i Ditur’. Kush e thotë këtë lutje tri herë nuk e zë atë asnjë fatkeqësi derisa të gdhihet. E kush e thotë këtë lutje tri herë kur gdhihet nuk e zë atë asnjë fatkeqësi derisa të ngryset. (Transmeton imam Ebu Davudi dhe të tjerë).
2- Të thuash sa më shumë lutjen: ‘Nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë përveç Allahut, vërtetë unë jam prej zullumqarëve’.
Allahu i lartësuar ka thënë: {(Kujtoje) Dhun-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: {S’ka tw adhuruar tjetër me të drejtë, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.} (Surja: Enbija: 87-88).
Imam Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë) në ‘Tefsirin e tij’ ka thënë: fjala e Allahut: {kështu Ne i shpëtojmë besimtarët} d.m.th. se nëse ata (besimtarët) janë në vështirësi dhe luten të përgjëruar, e sidomos nëse luten me këtë lutje Ne do i shpëtojmë ata.
Më pas përmend një hadith të Pejgamberit (paqja e nderimi i Allahut qoftë mbi të) ku thotë: ‘Lutja e Junusit me të cilën ai u lut kur ishte në barkun e peshkut: Nuk e meriton adhurimin askush me të drejtë përveç Allahut, vërtetë unë jam prej zullumqarëve. Nuk lutet askush prej njerëzve me këtë lutje vetëm se Allahu i përgjigjet atij.’ (Transmeton imam Ahmedi dhe Tirmidhi).
Imam Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij ‘El-Feuaid’ ka thënë: ‘Nuk ka gjë që i largon brengat e vështirësitë e dynjasë si teuhidi (njehsimi i Allahut). Ndaj dhe lutja që thuhet në vështirësi është me njehsim. Njehsimi i Allahut është vendi ku krijesat kthehen kur janë në vështirësi. Ai (njehsimi i Allahut) është streha e tyre, fortesa dhe ndihma e tyre. Suksesi vjen vetëm prej Allahut.’
3- Kërkimi i mbrojtjes tek Allahu nga fatkeqësia e rëndë.
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) transmetohet se ka thënë: ‘I dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) i kërkonte Allahut mbrojtje nga fatkeqësia e rëndë, nga çdo e keqe që do ta çonte në mjerim, nga caktimi i keq (që e shpie njeriun në mëkat) si dhe të bëj diçka që meriton të përflitet nga armiqtë.’
Po ashtu nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se ka thënë i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Kërkojini mbrojtje Allahut nga: fatkeqësia e rëndë, nga çdo e keqe që mund të shpie në mjerim, nga caktimi i keq (që e shpie njeriun në mëkat) si dhe të bëni diçka që meritoni të përfliteni nga armiqtë.’ (Të dyja transmetimet i përcjell imam Buhariu në librin e tij të saktë.)
4- Të tregohesh i kujdesur në bërjen e lutjeve që thuhen kur del nga shtëpia.
Nga Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Kur të dali dikush nga shtëpia e tij dhe thotë: ‘Me emrin e Allahut. I mbështetem Allahut, Nuk ka forcë dhe fuqi vetëm se prej Allahut’ i thuhet këtij njeriu që i thotë këto fjalë: Vërtetë që je i udhëzuar, i mbrojtur dhe i mjaftuar. Shejtanët largohen prej tij duke thënë: si mund të ndikojmë tek një person i cili është i udhëzuar, i mbrojtur dhe i mjaftuar?’ (Transmeton imam Ebu Davudi).
5- T’i kërkosh Allahut shëndet në mëngjes dhe në mbrëmje.
Nga Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se ka thënë: i dërguari i Allahut (paqja e nderimi i Allahut qoftë mbi të) nuk linte pa përmendur këto lutje në mëngjes dhe në mbrëmje: ‘O Zot! Unë të kërkoj shëndet të plotë në dynja dhe ahiret. O Zot! Unë të kërkoj falje dhe shëndet në fenë time, në dynjanë time, tek familja ime, e në pasurinë time. O Zot! Mi mbulo të metat e mia dhe më bëj të sigurt nga ajo që kam frikë. O Zot! Më ruaj mua nga para dhe pas, nga e majta ime dhe e djathta dhe përmbi meje. Unë kërkoj mbrojtjen Tënde që të mos të përpihem nga poshtë.’ (Transmeton imam Ahmedi dhe të tjerë).
6- Lutjet e shpeshta.
Transmetohet nga Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se ka thënë: i dërguari i Allahut (paqja e nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: ‘Atij që i është dhënë për tu lutur shpesh, atij i janë hapur dyert e mëshirës. Lutja që Allahu e do më së shumti është që t’i kërkosh atij shëndet të plotë.’
Gjithashtu i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Vërtetë lutja i bën dobi njeriut në atë çka i ka zbritur prej caktimit si dhe i bën dobi edhe në atë që nuk i ka zbritur ende. Ndaj shtojini lutjet e robër të Allahut.’ (Transmeton imam Tirmidhi dhe të tjerë).
7- Ruajtja nga vendet në të cilat është përhapur epidemia.
Transmetohet nga Abdullah ibn Amir (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) u nis për në vendet e Shamit (Sirisë). Kur arriti në vendin e quajtur Serg i vjen lajmi Umerit se në Sham është përhapur një epidemi. Abdurrahman ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) i thotë se i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Nëse dëgjoni që epidemia është përhapur në një vend mos shkoni atje, e nëse përhapet në një vend e ju jeni aty atëherë mos dilni prej saj. Mos u largoni nga ai vend nga frika se mos ju zërë epidemia.’
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: se i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Ai i cili është i sëmurë mos ta vizitojë atë që nuk është i sëmurë .’ (Transmeton imam Buhariu dhe Muslimi të dy hadithet).
8- Bërja sa më shumë mirësi.
Nga Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcillet se ka thënë: i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Bërja mirësi të mbron nga fatkeqësitë e rënda, sëmundjet dhe shkatërrimi. Ata që bëjnë mirësi në këtë botë do të jenë prej bamirëseve edhe në botën tjetër.’ (Transmeton Hakimi).
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: ‘Prej shkaqeve më madhore për tu shëruar nga sëmundjet është bamirësia, përmendja e Allahut, lutja, përulja përpara Allahut, qëndrimi me frikë-respekt përpara Allahut, pendimi. Këto gjëra kanë ndikim në shërimin e sëmundjeve dhe rikthimin e shëndetit më shumë se sa ilaçet. Porse ky ndikim është në varësi të përgatitjes shpirtërore, pranimit të tij, e besimit që ka në të dhe dobinë e tyre.’ (Marrë nga libri: Zadul Mead).
9- Namazi i natës.
Transmetohet nga Bilali (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Kujdesuni për faljen e namazit të natës, sepse ai është tradita e njerëzve të mirë që kanë qenë para jush. Vërtetë namazi i natës është afrim tek Allahut dhe të ndalon nga gabimet, t’i shlyen gjynahet dhe ta largon sëmundjen nga trupi.’ (Transmeton imam Tirmidhi dhe të tjerë).
10- Mbulimi i enëve dhe i gotave.
Transmetohet nga Xhabir ibn Abdilah (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre) se ka thënë: kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) të thotë: ‘Mbuloni enët e juaja dhe gotat, sepse gjatë vitit është një natë në të cilën zbret sëmundja. E kjo sëmundje nuk kalon pranë një ene të pambuluar dhe gote vetëm se hyn në të prej kësaj epidemie.’ (Transmeton imam Muslimi).
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: ‘Kjo gjë është prej gjërave që nuk e rrinë shkenca e mjekësisë e as eksperienca e tyre.’ (Zadul Mead).
Së fundmi themi se çdo musliman duhet që t’ia lë çështjen e tij Allahut të lartësuar, duke shpresuar tek mirësia e Tij dhe shpërblimi i Tij, e duke u mbështetur vetëm tek Ai. Çdo gjë është në dorën e Tij dhe nën kujdesin e Tij.
Si dhe të bëj ç ‘është e mundur që fatkeqësitë që i vijnë t’i kalojë me durim e duke shpresuar shpërblimin e Tij. Sepse Allahu i lartësuar ka premtuar se ai i cili tregohet i duruar dhe shpreson në shpërblimin e Tij do u japi atyre shpërblim të madh. Allahu i lartësuar ka thënë: {Vërtetë durimtarëve u jepet shpërblimi pa masë.} (Surja Zumer: 10).
Transmetohet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) se e ka pyetur të dërguarin e Allahut (paqja e nderimet e Allahut qofshin mbi të) rreth sëmundjes së Taunit (Murtajës) dhe ai i tha: ‘Kjo sëmundje ka qenë pjesë e dënimit të Allahut, e Ai e dërgonte ku të dëshironte. E bëri Allahu këtë sëmundje mëshirë për besimtarët. Ndaj çdo kënd që e kap kjo sëmundje dhe ai person qëndron në vendin e tij duke duruar si dhe duke e ditur se asgjë nuk e kap njeriun përveç asaj që ka caktuar Allahu, vetëm se ai do të meritojë shpërblimin e dëshmorit.’ (Transmeton imam Buhariu).
E lus Allahun që të na japi sukses të gjithëve në atë që Ai është i kënaqur dhe e do prej punëve të mira, e fjalëve të bukura. Vërtetë Ai e thotë të vërtetën dhe udhëzon në rrugën e drejtë.
Falënderimi i takon vetëm Allahut të vetëm. Paqja e nderimet e Tij qofshin mbi pejgamberin tonë Muhamedin, familjen e tij e shokët e tij.
Shkroi:
Abdurrazak el-Beder
Përshtati:
Ylli Rama

Komisioni i dijetarëve të mëdhenj prononcohet për rregullat në lidhje me pandeminë e shkaktuar nga Korona virusi

Komisioni i dijetarëve të mëdhenj prononcohet për disa rregulla në lidhje me pandeminë e shkaktuar nga Korona virusi Covid-19.
Vendim nr (246) në datë 16/07/1441  që përkon me datën 11/03/2020
Komisioni i dijetarëve të mëdhenj shpalli vendimin në lidhje me epideminë që është përhapur ditët e fundit nëpër botë:
Falënderimi i takon Allahut Zotit të botëve. Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, familjen dhe gjithë shokët e tij!
Pas shqyrtimit të shumë pyetjeve që kanë mbërritur ditët e fundit, në lidhje me masat lehtësuese për mosprezantimin në namazin e xhumasë dhe të xhematit, në rastin e përhapjes së epidemive apo kur ekziston frika nga përhapja e tyre, u studiuan në mënyrë të gjithanshme argumentet fetare dhe ligjore, bashkë me rregullat, qëllimet dhe largpamësinë e  tyre, si edhe fjalët e dijetarëve lidhur me këtë çështje.
Bazuar në çka përmendëm, komisioni i dijetarëve të mëdhenj shpjegon si më poshtë:
  1. Është haram (e ndaluar kategorikisht) për atë që është i infektuar, që të prezantojë namazin e xhumasë apo namazet ditore me xhemat. Sipas fjalës së Profetit (Sal-Allahu alejhi ue sel-lem): ”Të mos përzihet i sëmuri me të shëndetshëm” (Buhariu dhe Muslimi). Bazuar gjithashtu në fjalën e tij: ”Nëse dëgjoni se murtaja ka rënë në ndonjë vend, mos shkoni në atë vend. E nëse ju jeni aty, atëherë mos dilni prej tij” (Mutefekun alejhi)
  2. Nëse institucionet kompetente kanë vendosur për dikë që duhet të izolohet prej të tjerëve (të karantinohet), atëherë është obligim për të zbatimi i këtij vendimi. I tilli duhet që të lërë prezantimin në xhuma dhe xhemate dhe të falet në shtëpinë e tij apo në vendin ku është izoluar. Transmetohet se Shurejd bin Suvejd Eth-Thekafij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: ”Në delegacionin e Thekifit (që po vinte në Medine për të besatuar Profetin per hyrjen në islam) ishte një burrë lebroz. Atij i dërgoi Profeti (Sal-Allahu alejhi ue sel-lem) fjalë që ti thuhej; Ty ta kemi pranuar besën tënde, prandaj kthehu!” (Muslimi)
  3. Kushdo që dyshon se mund të dëmtohet për vete apo të dëmtojë të tjerët, i lehtësohet dispozita dhe i lejohet që të mos prezantojë në xhuma apo në namazet me xhemat. Mbështetur kjo në hadithin: ”Nuk lejohet dëmtimi i vetes dhe as dëmtimi i të tjerëve” (Ibnu Maxheh)
Në të gjitha rastet e përmendura, nëse nuk prezanton në xhuma, duhet të falë në vend të saj drekën katër rekate.
Komisioni i dijetarëve të mëdhenj i porosit të gjithë për korrektësi, përmbajtje dhe zbatim me përpikmëri të orientimeve, porosive dhe rregullave që burojnë nga institucionet kompetente.
Ashtu siç i porosit të gjithë  për devotshmëri ndaj Allahut të Madhëruar. Për kthimin me përgjërim dhe lutje tek Ai i Lartësuari, në mënyrë që ta largojë prej nesh këtë sprovë.
Allahu i Madhëruar thotë: ”Nëse All-llahu të godet me ndonjë të keqe, s’ka kush që ta largojë atë veç Tij, e nëse të dhuron ndonjë të mirë, duhet ditur se Ai është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë” EnAmë – 17.
Gjithashtu i Madhëruari thotë: ”Zoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua që t’iu përgjigjem!”
Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, familjen dhe gjithë shokët e tij!


Përktheu: Mirandi Shehaj