Saturday, 13 January 2018

Kujdesi i dijetarëve ndaj kohës në mënyrë të pashembullt!

Kujdesi i dijetarëve ndaj kohës në mënyrë të pashembullt!

  • Kujdesi ndaj kohës në mënyrë të pashembullt!
El Hafidh es Sekhauij tregon në “Ed daul lamiu”[1]kur flet për jetën e Ahmed ibn Sulejman ibn Nasrullah, dijetar i medh’hebit shafi që ka jetuar në Bulkas, pastaj në Kajro dhe ka vdekur më (v. 852) në lulen e rinisë së tij.[2] Thotë për të: “Ishte imam, dijetar i madh, me memorie shumë të fortë, me kuptim të thellë. Kishte pjesë nga çdo fushë e dijes, elokuent, i apasionuar pas diturisë, përsëritjes së saj dhe hulumtimit shkencor. Nuk shkëputej prej studimit aq sa nuk e pengonte për këtë edhe të ecurit, studionte edhe gjatë tij. U lexonte studentëve (apo i lexonin atij) Kuran me llojet e ndryshme të recitimit gjatë ushqimit, nga frika e humbjes së kohës. I habitshëm në këtë fushë. Nuk njoh ndonjë tjetër në kohën e tij që t’i afrohet atij në këtë pikë. Ishte larg sforcimit (ishte i natyrshëm, vetvetja), shumë i thjeshtë me të varfrit. Lexonte shumë shpejt.”
  • E njoh prej më shumë se 50 vjetësh, ose shfleton, ose shkruan
Sekhauij thotë gjithashtu në “Ed daul lamiu”[3]kur flet për jetën e Muhammed ibn Ahmed ibn Muhammed el Umerij es Saghanij (vdekur më 854) : “Ishte imam, dijetar i madh, i përparuar në fikh dhe dy usulet[4] në gjuhën arabe. Kishte dituri në fusha të ndryshme të fesë. I zoti në përpilimin e librave, me një dëshirë të flaktë për të lexuar dhe përzgjedhur librat. Thotë për të Ebul Khajr ibn Abdulkauij: ‘E njoh prej më shumë se 50 vitesh. Kurrë nuk kam hyrë tek ai dhe të mos e kem gjetur duke lexuar ndonjë libër, ose duke shkruar’”
  • Nuk shkëputej prej leximit edhe kur shkonte në banjë!
Ibnul Kajjimi – Allahu e mëshiroftë – thotë në “Kopshti i të dashuruarve”[5] kur flet për dashurinë e zjarrtë ndaj diturisë: “Më ka treguar vëllai i shejkhut tonë (vëllai i shejkhul Islam Ibn Tejmijes – Allahu e mëshiroftë) Abdurrahman ibn Tejmija për babanë e vet (Abdulhalimin). Thotë: Gjyshi yt (Ebul Berakat, edhe ky dijetar) kur hynte në banjo më thoshte: ‘Më lexo nga ky libër dhe ngrije zërin që të të dëgjoj’”
Them: Dhe ky është zinxhir transmetuesish si dielli, Allahu i mëshiroftë të gjithë!
  • Nuk velej nga leximi dhe rrinte deri vonë natën duke lexuar
Imam Sekhauij thotë në “Ed daul lamiu”[6] kur flet për jetën e Ahmed ibn Alij ibn Ibrahim el Hejtemij esh Shafiij (v. 853): “Ka shkëlqyer në fikh dhe ishte shumë i zoti në tëi vinin shumë kollaj në mendje shtjellimet e gjata të çështjeve të ndryshme të jurisprudencës islame, madje i tërë shpjegimit të “Të të saktit të Muslimit” të shkruar nga Neueuij, për shkak të leximit të shpeshtë të tij. Nuk bezdisej nga shfletimi dhe nga marrja me diturinë. Pa lënë mënjanë faktin se ishte njeri i khajrit, me fe, i thjeshtë, serioz, merrte pak nga kjo botë, asket. Kishte fuqi të madhe për të qëndruar gjatë pa gjumë”.
  • Nuk udhëtonte pa librat e tij
Imam Sekhauij përmend në “Ed daul lamiu”[7] kur flet për jetën e Imamit gjuhëtarit Muhammed ibn Ja’kub el Fejruzabadij (persian me origjinë) vdekur më 817[8]. Tregon për të se bleu libra të shtrenjtë, aq sa njëri prej tyre thotë se e ka dëgjuar të thotë për ta: “Bleva libra që kushtonin 50 mijë monedha floriri!” Dhe nuk udhëtonte pa i mbartur me vete disa hejbe[9] mbushur me libra. Dhe sa herë që zbriste për të pushuar diku i nxirrte shumicën prej tyre dhe i shfletonte, pastaj i kthente përsëri në vendin e vet kur rimerrte udhëtimin.
Përktheu Emin Bilali
[1] 311/1 dhe në “El kabesul hauij” 153/1 i Shemmait dhe “Nadhmul Ikjan” fq 42-43.
[2] U lind në vitin 824 dhe vdiq më 852 në moshën 28 vjeçare, dhe ky është ai që më ka shpëtuar pa e përmendur tek libri im: “Dijetarët që nuk e kanë kaluar moshën 40 vjeçare” Por do ta përmend bashkë me të tjerë – me lejen e Allahut të Lartësuar – në botimet e ardhshme.
(Sh.p.: konkretisht shejkhu Ali el Imranij – Allahu e ruajtë – flet aty për ata që kanë jetuar nga mosha 15 deri në 40 vjeç, e megjithatë janë llogaritur prej dijetarëve. I Patëmeta është Ai që i dhuron kujt të dëshirojë nga Bujaria e Tij e madhe, dhe zgjedh kë të dojë për të qenë trashëgimtar i Profetëve. Allahut i kërkojmë nga të mirat e Tij të shumta, me të vërtetë Ai është Bujar i Madh, dëgjues i lutjeve!”
[3] 84-85/7, dhe në “Edh dhejlut taamm” 98/2.
[4]  Sh.p.: ‘Usulul fikh’ dmth Bazat e jurisprudencës Islame, dhe ‘Usulud din’ dmth Bazat e fesë islame, ose çështjet që kanë të bëjnë me besimin.
[5] fq. 70
[6] 6/2

[7] 81/10.
[8]Sh.p.:  Një nga mësuesit e Ibn Haxherit, Allahu i mëshiroftë.
[9] Sh.p.: HEJBE f. vet.
Dy torba të mëdha prej leshi a prej liri, të endura a të qepura së bashku, që shërbejnë për të mbajtur sende të ndryshme dhe hidhen në sup njëra para e tjetra prapa, ose varen në samar në të dy anët e kafshës; duqe. Një palë hejbe. Var hejbetë. Mbush hejbetë. Nxjerr nga hejbetë.

No comments:

Post a Comment